DURRËS, 27 tetor 2014 –  Në 4 nëntor 2010 në uzinën kimike të firmës Eureco, në reartin e magazinimit të mbeturinave, afër qytetit të Paderno Dunjanos (Dugnano) në Provincën e Milanos ra një zjarr i madh, i cili krahas dëmeve të shumta materiale, i morri jetën dy punëtorëve italianë dhe dy punëtorëve shqiptarë: Harun Zeqirit dhe Leonard Shehut. Ferit Meshi, që punonte në të njëjtën uzinë kimike, u dogj keqazi, rrezikoi jetën, ndërsa nxorri nga flakët disa prej kolegëve të punës. Shtypi italian për guximin deri në vetëmohim, që tregoi Feriti, e pagëzoi me emrin “heroi i Eurecos”.

“Heroit” tonë, me vendim gjykate të marrë në prill të vitit 2013 i takonte dëmshpërblim për plagët e marra, por ky shpërblim për pengesa burokratike nuk i mbërriti kurrë Feritit.  Për zjarrin në fjalë  pronari i uzinës me gjykim të shkurtuar u dënua me pesë vjet burg për vrasje të shumëfishtë aksidentale. Shoqëria e sigurimeve e kompanisë Eureco nuk i ka paguar asnjë grosh punëtorëve të vdekur e të plagosur nga zjarri, sepse rrezikzinjtë formalisht ishin të punësuar nga kooperativa Tnt në zonën e Napolit, e cila tashmë ka shpallur falimentimin.

Feriti për shkak të plagëve të marra humbi vendin e punës. Për ta mbushur plot kupën e halleve e të telasheve, më 25 tetor, Feritit i mbërriti lajmërimi nga bashkia, që bashkë me gruan dhe tre fëmijët duhet të largohet nga apartamenti, ku banon brenda 27 nëntorit 2014, sepse sipas burokracisë bashkiake nuk i takon të banojë në banesat sociale në pronësi të bashkisë.

Heroi i djeshëm, sot përbuzet e shkelet me këmbë nga burokracia, gjyqësore, bashkiake dhe sipërmarrëse italiane.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/