Greqia hyn në ditët e fundit kritike përpara Vitit të Ri, me fermerët që paralajmërojnë përshkallëzim të mobilizimeve dhe prani të fortë në rrugët kryesore të vendit.

Që në fillim të kësaj jave, protestat intensifikohen, me bllokime jo vetëm në autostradat kombëtare, por edhe në rrugët dytësore, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullim.

Një nga pikat kyçe është Thesalia, ku fermerët do të hyjnë me traktorë në qytetin e Larisës pasdite, rreth orës 16:00. Pas grumbullimit, ata do të drejtohen drejt qendrës së qytetit për të informuar qytetarët mbi kërkesat e tyre dhe për të ushtruar presion ndaj qeverisë.

Në bllokimin më të madh të vendit, në Nikaia , fermerët do të mbyllin nesër për rreth tre orë jo vetm autostradën Athinë Selanik, por edhe rrugët anësore, ndërsa nga e marta hapet për qarkullim ura ajrore, për të lehtësuar lëvizjen gjatë ditëve festive.

Në Malgara, pranë Selanikut pritet që nesër  të mbyllen sërish të dyja drejtimet e autostradës , ndërsa të martën do të mbahen të hapura për të lehtësuar udhëtarët e Vitit të Ri.

Probleme serioze janë regjistruar në Martino të Fthiotidës, ku autostrada Athinë–Selanik është mbyllur në intervale orare, duke shkaktuar radhë kilometrike dhe vonesa.

Edhe në Kalamata java që nis konsiderohet javë përshkallëzimi, me kolonat e traktorëve që do nisen nga blloku i Thourias drejt zyrave tatimore, ndërsa fermerët deklarojnë se do të vazhdojnë pa u tërhequr.

Nga ana e saj, qeveria vlerëson se vetëm dialogu i sinqertë mund të sjellë zgjidhje, dhe u bën thirrje fermerëve të heqin dorë nga përplasja e vazhdueshme.

Ndërkohë, për qytetarët dhe udhëtarët e festave, autoritetet rekomandojnë kujdes në planifikimin e lëvizjeve, pasi situata në rrugë mbetet fluide dhe mund të ndryshojë nga ora në orë.