Feronit Shabani, i njohur si Fero, ka shpërndarë një deklaratë prekëse në rrjetet sociale, ku ka shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin për mungesën e kontaktit me vajzën e tij, Ninën, që nga tetori i vitit të kaluar. Ai ka shpjeguar se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontaktuar me të përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan dhe përfaqësuesve ligjorë të ish-partneres së tij, Arbenita Ismajli.

Fero ka akuzuar avokaten Blinera Osmani, motrën e Presidentes së Kosovës, për mashtrim, duke thënë se ajo i kishte premtuar mundësinë e takimit me vajzën, nëse ai pranonte të nënshkruante një marrëveshje. Ai ka theksuar se ka nënshkruar marrëveshjen me besimin se do të mund të takohej me vajzën, por pas nënshkrimit, avokatja e palës tjetër ka shpallur tërheqjen dhe është larguar nga çdo përgjegjësi, duke lënë të hapur çështjen.

Po ashtu, Fero ka kritikuar Gjykatën Themelore të Gjilanit për mos vepruar dhe për neglizhencën që tregon në këtë çështje, duke theksuar se nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ndihmuar në gjetjen e vajzës apo për të mundësuar kontaktin mes tyre.