28 nëntor 2014 – Skuadra e Superligës së Kosovës, Ferronikeli, u shpall fitues i edicionit të 6 të Kupës së Pavarësisë, që tashmë është kthyer në traditë në qytetin e Vlorës, aty ku 102 vite më parë Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Skuadra e trajnerit Gani Sejdiu, që merrte pjesë për herë të parë në këtë turne, arriti të kalonte në finalen 45-minutëshe Shkëndijën e Tetovës, falë golit të Përparim Livorekës në minutën e 6-të. Ndërkohë që në gjysmëfinale Ferronikeli eliminoi 3-1 pas goditjeve të 11-metërshave Llamkos Kosovën, me kohën e rregullt që përfundoi në barazim 0-0, ndërsa Shkëndija e Tetovës në takimin hapës kaloi me rezultatin e ngushtë 1-0 Flamurtarin e Vlorës falë golit të Bashkim Lamës në minutën e 25. çmimin e lojtarit më të mirë të turneut e fitoi portieri i Ferronikelit, Granit Kolshi, ndërsa çmimi “Fair Play” shkoi për mesfushorin e Flamurtarit, Bruno Telushi.





