Lajmi më i bujshëm i ditëve të fundit lidhet padyshim me Lewis Hamilton dhe marrëveshjen e tij për të kaluar në radhët e Ferrarit nga viti 2025. Piloti britanik do të garojë edhe këtë sezon me Mercedes, e më pas do të transferohet te “kokëkuqja” për të tentuar një titull botëror që e vendos në majën e botës së Formula 1.
Së fundmi, mediat zbulojnë edhe detajet e marrëveshjes mes italianëve dhe 39-vjeçarit. Për të bindur Hamilton, Ferrari i ofroi një rrogë thuajse sa dyfishi i asaj që anglezi përfiton aktualisht te Mercedes. Shtatë herë Kampioni i Botës ka një kontratë me Mercedes nga e cila përfiton 50 milionë paund, por te Ferrari, britaniku do të arkëtojë deri në 85 milionë paund.
Këtu përveç pagës, janë të përfshira edhe sponsorët, bonuset si dhe të drejtat e imazhit. Megjithatë, paratë nuk janë e vetmja “armë” me të cilën Ferrari bindi Hamilton. Italianët e kanë siguruar pilotin britanik edhe për anën teknike të makinës.
Në Maranello, janë të bindur se Ferrari po vjen në përmirësim, madje kulmi pritet në vitin 2026 kur do të implementojnë motorin e ri dhe kështu të duelojnë dhe të jenë në lartësinë e RedBull-it. Pikërisht, ky do të jetë viti kur Hamilton do të synojë më fort se kurrë titullin e tetë botëror për të parakaluar legjendën e Ferrarit, Michael Schumacher.