Itali, 10 shtator 2014 – Luca Cordero di Montezemolo largohet nga Ferrari pas 23 viteve në krye të skuadrës nga Maranello. Tërmeti në shtëpinë e kuqe vjen pas dështimit në garën e Monzas, ndërsa Montezemolo do të largohet zyrtarisht në datën 13 tetor me rastin e përvjetorit të 60-të të Ferrarit në tregun amerikan. Drejtori i kompanisë FIAT, Sergio Marchionne do të jetë pasardhësi i tij. Në kominukatën e shoqërisë vihet theksi te sukseset ekonomike dhe sportive që ka arritur Montezemolo në krye të Ferrarit. Ndërkohë, presidenti i FIAT, John Elkann, falënderon Montezemolon për punën e madhe të bërë në krye të shtëpisë së prodhimit të makinave. Presidenti i ri i Ferrarit, Sergio Marchionne përqëndrohet te arritjet e paraardhësit të tij, duke theksuar se Montezemolo e ngriti në një nivel tjetër duke aplikuar risi të mëdha teknologjike të cilat u përkthyen në rezultate pozitive sin ë aspektin ekonomik ashtu edhe në atë sportiv.
Në fund, nuk mund të mungojë edhe qëndrimi i Montezemolos, i cili falënderon gjithë punonjësit e shoqërisë, por shton se një mendim në këto momente shkon edhe për tifozët e kokëkuqes, të cilët po kalojnë momente të vështira ashtu si edhe vetë makina në Formula 1. “Ferrari është komoania më e bukur në botë dhe për mua ka qenë një nder I madh që e drejtova për kaq shumë vite. I kam dedikuar pjesën më të madhe të kohës, prandaj kjo kompani përfaqëson një pjesë të mirë të asaj çfarë unë jam”, thekson Luca Cordero di Montezemolo në komunikatën zyrtare. Gjatë presidencës së tij, Ferrari numëron14 tituj në Formula 1, 8 për konstruktorët dhe 6 për pilotët ndërsa pilotët e kokëkuqes kanë regjistruar 113 fitore.
Por kush është Luca di Montezemolo dhe çfarë përfaqëson ai për Ferrarin ku mbretëroi për rreth çerek shekulli? Ai e nisi punën në Maranello në vitin 1973 si asistent i Enzo Ferrarit dhe përgjegjës i makinave të garave. Dy vite më vonë ai siguroi dy tituj si drejtues, atë me Niki Laudan për pilotë dhe atë për konstruktorë. Në vitin 1977, Lauda përsëriti suksesin por kohët më pas u veshën nga paqartësitë dhe rezultatet e dobëta. Në po të njëjtin vit, Montezemolo u largua nga Maranello për t’u përkushtuar ndaj detyrave të reja në jetën profesionale sepse për disa vite rresht ai ishte pjesë e institutit financiar industrial, ndërsa në vitin 1990 punoi për organizimin e Kupës së Botës.
Një vit më vonë u rikthye në Maranello si president por për të festuar titullin e parë me të në krye, Ferrari duhej të priste vitin 1999 kur Michael Schumacher dhe Eddy Irvine fituan duelet me dyshen e McLaren, Hakkinen-Coulthard, duke fituar titullin e konstruktorëve për kokëkuqen. Një gëzim që nuk shijohej që prej 16 vitesh në skuadrën italiane por edhe një sukses që i hapi rrugën një epoke të artë sepse gjatë viteve në vazhdim, Schumacher regjistroi 5 suksese personale në timonin e Ferrarit. Maranello kishte nisur të funksiononte si një shtëpi e kompletuar, ndërsa Ferrrari fitoi prestigjin edhe në arenën ndërkombëtare. Me largimin e gjermanit, sukseset nuk u ndalën sepse në vitet 2007-2008 u fituan edhe tre titujt e fundit të epokës Montezemolo me Kimi Raikkonen që u shpall kampion bote 7 vjet më parë. Që prej asaj periudhe vetëm zhgënjime. Tashmë një erë e re po lind. Skuadra simbol e kapitalizmit italian kërkon të shkëlqejë sërish duke parë nga e ardhmja.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





