Në testet e zhvilluara për dy javë me radhë në Barcelona, makina Ferrari ishte më e shpejta në pistë dhe tregoi se mbetet njëvendëshja për t’u mundur këtë sezon. Megjithatë, sipas shefit të makinës italiane gjërat nuk janë kaq të të thjeshta dhe të përkryera sa duken.
“Makina e re SF 90 është e grupuar mirë, është e qëndrueshme në frenim, por ka një problem. Besueshmëria nuk është në atë nivel që prisnim dhe nëse makina ka problem gjatë garës nuk shpallemi dot kampionë”, tha Mattia Binotto.
“Për të fituar titullin kampion duhet të jemi më të fortë dhe të shpejtë dhe ky defekt që u shfaq gjatë testeve mund të na prishë punë gjatë sezonit. Gjithsesi, kanë qenë ditë intensive këto që kaluam në pistën e Montmelo dhe u përqendruam në punën tonë, pa parë se çfarë bëjnë apo problemesh kanë të tjerët”, u shpreh më tej Binotto.
Shefi i “kokëkuqes” pranon se gjërat nuk shkuan të gjitha mirë. “Patëm një aksident të fortë me Vettel, ndaj duhet të shohim me kujdes çdo detaj. Me Mercedes do të jemi shumë pranë në çdo garë. Leclerc? Është i ri dhe një pilot i talentuar, që po mëson shumë nga mekanikët. Pavarësisht kësaj, Sebastian Vettel mbetet si pikë referimi për skuadrën këtë sezon”, tha Binotto.