Një mrekulli e vërtetë, të paktën nga ana vizuale! Ferrari ka prezantuar dje makinën e re për të Botërorit 2022, me të cilën do të zbresë në pistë që në testet e javës së ardhshme që do të mbahen në Barcelonë.Me forma të rrumbullakosura dhe më një luk agresiv, me të kuqen karakteristike dhe gjithashtu me ngjyrë të zezë, kështu paraqitet modeli “F1-75”, model më të cilin skuadra nga Maranelo kërcënon rivalët dhe shpreson t’u rikthehet triumfeve në kampionat. Ai që përshkroi karakteristikat ishte Matie Binoto, ndërsa të pranishëm ishin gjithashtu edhe dy pilotët, Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz, së bashku me presidentin Xhon Elkan.
BINOTO – “Kjo veturë është një përmbledhje e punës së një grupi të mirë, për të cilin jam krenar. Vjen për të festuar 75- vjetorin e makinës së parë (modeli 125s) që mban emrin e themeluesit. Kjo është një Ferrari të cilën dëshiroj ta quaj kurajoze. Kemi dëshiruar ta interpretojmë rregulloren e re në mënyrë të ndryshme. E dimë shumë mirë që pritshmëirë janë të larta dhe rezultatet e fundit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur të historisë sonë”, ishin këto fjalët e para me të cilat Matia Binoto prezantoi Ferrarin, teksa më pas shefi i “kokëkuqes” shtoi: “F1-75 është një shëmbëlltyrë e talentit, impenjimit dhe pasionit të secilit prej nesh. Është një përmbledhje e punës në skuadër, por si asnjëherë më parë, këtë herë përballet me sfidat me një tjetër frymë, duke kërkuar që të shtyjë në maksimum në inovacionin e çdo komponenti dhe çdo detaj të makinës. E dimë që pritshmëritë janë shumë të mëdha, por jemi gati për t’u përballur me rivalët. Jam krenar për të gjithë punë e bërë. Tani na pret një sfidë e madhe dhe shumë e bukur”, deklaroi ndër të tjera Binoto.
PILOTËT – Tepër entuziastë në ditën e prezantimit të makinës së re u shfaqën edhe pilotët Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz. “Objektivi kryesor është që të punojmë së bashku për t’u përmirësuar pas një sezoni të vështirë. Ky kampionat është thelbësor për ne. Pritshmëritë janë të larta dha na pret një punë e madhe. Modeli F1- 75 më pëlqen shumë dhe do ta dua akoma më tepër kur të zbres në pistë me të. Me Karlosin jemi të lirë për të konkurruar, por sigurisht pa bërë çmenduri”, deklaroi Sharl Lëklerk. Ndërkohë, Karlos Sainz, ndër të tjera, tha: “Më pëlqen, sepse ka një pamje agresive. Duhet të punojmë fort për një sezon të madh. Presioni nuk më shqetëson. Lufta për të fituar një garë apo një titull është ëndrra e jetës sime”, tha Sainz.
PRESIDENTI – Një sezon të madh e pret edhe Xhon Elkan, presidenti i Ferrarit, i cili e komentoi kështu makinën e re gjatë prezantimit të djeshëm: “Ferrari është e vetmja që ka garuar në të gjitha sezonet e Formulës 1. Modeli F1-75 përfaqëson në mënyrën më të mirë shpirtin inovativ të skuadrës. Përgjegjësitë për ta dërguar këtë makinë në nivelin e pritshmërive të tifozëve tanë në mbarë botën, tashmë janë në duart e Matias, Sharlit, Karlosit dhe të gjithë skuadrës. Sforcot që kemi bërë janë për të shkruar një kapitull të ri”, u shpreh Xhon Elkan.