20 vjetori i festës më të madhe të fëmijëve që bëhen bashkë në Durrës, nga treva të ndryshme të Ballkanit e më gjerë, ka përkuar me 70 vjetorin e krijimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit.

“Fest Loja” ka startuar në sheshin “Liria” para bashkisë së qytetit, me një veprimtari masive të organizuar me pjesëmarrje të gjërë të qindra fëmijëve, jo vetem nga qytetet e Shqiperisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Kroacia, Rumania, etj. Për here të parë, në këtë aktivitet u përfaqësua edhe Kirgistani.

Një program i larmishëm, që ka startuar në datën 11 dhe do të përfundojë në datën 15 tetor, 5 dite fëmijët do të shpalosin, jo vetem flamujt përfaqësues, por edhe  kulturën e vendeve përkatëse nëpëmjet këngëve, valleve, kostumografisë në konkursin  që zhvillohet në qytetin e Durrësit.

Ceremonia e hapjes së Festivalit, zhvilluar paraditen e sotme, ka gjallëruar atmosferën dhe ka tërhequr vëmëndjen e kalimtarëve të rastit, që kanë ndaluar për të shijuar dhe për të duartrokitur performancat e artistëve të vegjël.

Festivalin e deklaroi te hapur, shefi i kabinetit të Bashkisë, Lavdosh Beqiraj.

Avni Cuni drejtori i Qendrës kulturore të fëmijëve tha se "Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi dhe zbulimi i talenteve të rinj në një garë të bukur midis fëmijëve, të cilët thyejnë çdo barrierë të ndërtuar mes shtetve me dashurinë e tyre."

“Fest Loja” është  kthyer tashmë në një traditë, si një urë lidhëse midis kulturave të vendeve përfaqësuese.

K.H.