Sot është Dita e Mësuesit, ndërsa shënohen 130 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe.

7 Marsi përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjitha trojet shqiptare kur të gjithë kujtojmë e nderojmë mësuesit.

Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë më 7 mars të vitit 1887, ishte arsyeja e kthimit të kësaj date në një festë për gjithë arsimtarët.

Që nga kjo ditë, “Mësonjëtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë, duke bërë kështu që çdo 7 Mars të nderohen kontribuuesit më të mëdhenj në edukimin e brezave.

Mësonjëtorja kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj.Shkolla të tjera u hapën sipas këtij shembulli në mbarë trojet shqiptare.

Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohen aktivitete të shumta ku mësuesit do të jenë në qendër të vëmendjes.