Rrallë herë salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka pasur kaq gjallëri, ngjyra dhe buzëqeshje fëminore.
Janë mjaft të pakta rastet kur vogëlushë 7-vjeçarë kanë mbajtur peshën e një spektakli të vërtetë, ku këngët e vjershat fëminore ndërthuren bukur me dramatizimet, valset dhe interpretimet në gjuhë të huaj.
Festat e Abetares së dy klasave të para të shkollës “Jusuf Puka” i kishin të gërshetuara në perfeksion të gjitha këto së bashku.
E nëse dikush mund të habitet për aftësitë e këtyre vogëlushëve, për mësuese Sarita Muhon që ka 38 vite në arsim, kjo nuk është aspak rastësi.
“Festa doli një mrekulli. Brezi tani është shumë më i lirshëm. Nëse brezat më përpara kanë qenë më të ndrojtur dhe për ne ishte pak më e vështirë puna me ta, tani janë shumë më ndryshe. Mbase edhe teknologjia që ata përdorin i ka dhënë avantazh më shumë dhe prandaj mendoj që është më e lehtë të bësh një spektakël me brezin që është tani”,-thotë Sarita Muho, mësuese e klasës së IA.
Gjithçka u konkludua në formën më të bukur, falë një pune disa mujore me fëmijët.
“Sot është një ditë feste për fëmijët, për ne mësuesit, për prindërit, për të gjithë stafin e shkollës. Eshtë realizimi i një pune shumë të madhe për të gjithë ne. Kemi disa muaj që përgatitemi dhe shpresojmë që të mbetet një kujtim i bukur për të gjithë ne”,-tha për “DurrësLajm” mësuesja e klasës IB, Florjona Vasili, para nisjes së spektaklit.
Ndryshe nga festa të ngjashme kur prindërit janë zakonisht spektatorë apo kontribuues për zhvillimin e eventit, këtë herë ata kishin një rol aktiv në skenë.
Sot këta vogëlushë kanë hedhur vetëm hapin e parë në rrugën e gjatë e të vështirë të dijes, por ky spektakël do të mbetet përgjithmonë në memorien e tyre.
Ashtu siç do të mbetet edhe dashuria e madhe për mësuesen e parë, atë që u mësoi A, B, C-në.
Në fund të një viti, të mbushur me mësime e detyra, gjithçka përmbyllet mjaft bukur.
Tashmë vogëlushët ndihen më të rritur e më të ditur, kanë në dorë certifikatën e klasës së parë.
Të tjera sfida i presin në shkollë në të ardhmen dhe të gjitha ata ndihen gati t’i ndërmarrin bashkë me mësueset e tyre.
M.B.