Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, së bashku me ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e festës së kulturës dhe arsimit bullgar.
Në postimin e saj në rrjetet sociale Sako shkruan se Durrësi do ti bashkohet qyteteve që zhvillojnë kurse në gjuhën bullgare.
“Të gjitha minoritetet në Durrës janë të integruara plotësisht në jetën e qytetit dhe gëzojnë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë.”, shkruan ndër të tjera Sako.
Postimi i plotë:
Së bashku me ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov, kryetarin e shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë”, Ahmet Bala, pjesëtarë të pakicës bullgare në Durrës, mësues, prindër e nxënës, morëm pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e festës së kulturës dhe arsimit bullgar.
Shoqata “Bullgarët e Shqipërisë” me mbështetjen e Ambasadës Bullgare në Tiranë, organizon kurse të gjuhës bullgare në disa qytete të Shqipërisë. Tashmë ky kurs do të zhvillohet edhe për pjesëtarët e pakicës bullgare në qytetin tonë, në ambientet e “Shkollës së Re” në zonën e Durrësit të Ri.
Ne japim mbështetjen tonë të plotë për pakicën bullgare ashtu si dhe për pakicat e tjera. Të gjitha minoritetet në Durrës janë të integruara plotësisht në jetën e qytetit dhe gëzojnë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë.