Futbollistët kuqezinj kanë festuar fitoren e dytë radhazi në kualifikueset e Euro 2024 kundër Ishujve Faroe. Në dhomat e zhveshjes, ata kanë brohoritur dhe gëzuar për këtë sukses të rëndësishëm që i çon në vendin e dytë në renditjen e Grupit E.
Kuqezinjtë kanë 6 pikë, 1 më pak se sa Republika Çeke kryesuese, e sfida e radhës më 7 Shtator në transfertë do të jetë vendimtare për objektivin kualifikim.
Trajneri Silvinjo përgëzoi futbollistët e u tha të festonin, sepse e meritonin me paraqitjen e bërë.
“Punë e mirë! Lojë e mirë! Dua t’ju shoh të gjithëve në sy! E merituat, duhet të kthehemi duke endërruar. Duhet të arrijmë edhe shumë më shumë! Tani Le të festojmë!”
Për suksesin e arritur, reagoi edhe presidenti i FSHF Armand Duka. Në profilin e tij në Instagram, ai shkroi se misioni u përmbush.
Kreu i FSHF falenderoi djemtë dhe stafin teknik e shtoi se për kuqezinjtë nuk ishte aspak e lehtë të merrnin dy fitoret nisur nga fakti se lojtarët vinin pas një sezoni të gjatë dhe impenjativ.
Ai shtoi se në shtator Shqipërinë e presin dy sfida të rëndësishsme, ku të gjithë bashkë duhet që të japin maksimumin për të arriturt objektivin, Gjermani 2024.





