“Festa e miqësisë”, që është kthyer në një traditë të përvitshme në Durrës ka krijuar një atmosferë festive mbrëmjen e së enjtes në sheshin kryesor të qytetit.
Tingujt e muzikës së grupit të njohur “West Side Family” ndezën sheshin “Liria”, ndërsa grupmosha të ndryshme, nga më të rinjtë e deri tek më të moshuarit nuk nguruan t’ia merrnin valles.
Krahas qytetarëve durrsakë, në shesh kishte edhe shumë turistë të huaj dhe pushues që kanë zgjedhur Durrësin për të kaluar këto ditë të nxehta të fillim gushtit.
Mbrëmë ishte vetëm nata e parë, pasi Festa do të vijojë edhe 3 netë të tjera.
Sonte është radha e këngëtarëve Devis Xherahu & Xhesika Polo, ndërsa të shtunën dhe të dielën, në skenën në qendër të Durrësit do të ngjiten të dhurojnë muzikë të mirë për publikun këngëtarët Orgesa Zaimi, Land Kademi & Simpatico Band, si dhe Mateus frroku dhe Rea Nuhu.
K.Gj.