Mbrëmjet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës kanë një magji më vete, sidomos kur xhirot buzë detit kombinohen me muzikën e mirë dhe disa prej artistëve më në zë të skenës shqiptare.

“Festa e miqësisë”, që zhvillohet për të disatin vit në qytetin bregdetar krijoi atmosferën e duhur, plot ritëm dhe gjallëri në shëtitore.

Vendasit dhe të huajt i shijojnë mjaft këto netë të nxehta vere në ambiente të hapura, nën tingujt e hiteve shqiptare, pasi të ndenjurit brenda është thuajse mision i pamundur.

“Janë rregulluar gjërat këtu. Ka shumë lëvizje, të shtohet jeta!”

“Jemi nga Ukraina. Kemi disa ditë këtu dhe po kalojmë bukur”.

“Periudha e verës është shumë e bukur”.

“Unë jam nga Ukraina, por jetoj këtu. Prindërit kanë ardhur të më takojnë dhe dolëm që t’u prezantoja Durrësin. Dëgjuam muzikën dhe erdhëm këtu. Po më pëlqen shumë. Durrësi në këtë periudhë, është shumë i gjallë.. Edhe atmosfera sonte është shumë e bukur”.

“Po kënaqemi shumë sonte, sepse janë këngëtarët shumë të mirë, shumë këngë të bukura”, thanë shumë prej të pranishmëve në eventin kulturor për mikrofonin e “DurrësLajm”.

“Festa e miqësisë”, që solli në Durrës këngëtarët Elton Deda, Renis Gjoka, Eneda Tarifa dhe Redon Makashi është vetëm një nga eventet kulturore, që po zhvillohen në Durrës në këtë periudhë pushimesh, pasi netë të tjera me muzikë të mirë do të vijojnë përgjatë muajit gusht.

M.B.