Tiranë, 13 qershor 2014 – Të ftuarit e lanë ende pa nisur dje festën e Partisë Socialiste. Kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS-së, Edi Rama erdhi me rreth 50 minuta vonesë nga orari zyrtar i caktuar në ftesë. I pari që la mjediset e lulishtes së Muzeut Kombëtar ishte deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili qëndroi vetëm për pak minuta, pasi ishte i lodhur nga vizita në Gjeorgji.
Më pas, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjithashtu janë larguar duke mos pritur ardhjen e kryeministrit. Pas tyre u larguan me radhë edhe deputeti socialist Paulin Sterkaj, nënkryetari i Kuvendit e njëherësh kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Dhe fiks në orën 20:20, kryeministri, shoqëruar nga bashkëshortja Linda, e cila ishte veshur me lejla, shkelën gjithashtu mbi tapetin e purpurt, shtruar në të gjithë gjatësinë e rrugës nga lulishtja deri në hyrjen e prapme të Muzeut.
Në festë munguan dje patriarku i Partisë Socialiste, Dritëro Agolli. Për shkak të gjendjes shëndetësore ai nuk mund të qëndronte me orë të zgjatura në mjedisin e festës, ndaj ka uruar me mesazhet e tij drejtuesit e selisë rozë. Në ceremoni mungoi dje edhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano dhe ish-presidenti Rexhep Meidani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





