Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuarën e vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme.
Profeti Muhamed thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejtë u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë dritë, njerëzimit mbarë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm.