Festa e Trevës së Ishmit ishte aktiviteti që bëri bashkë përfaqësues nga bashkia e Durësit, drejtues të shoqatës Ishmi, drejtues të institucioneve arsimore të Durrësit, deputetë, veteranë, personalitete të artit e kulturës dhe banorë të Ishmit.
Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako dhe kreu i shoqatës Ishmi, Isuf Shehu përuruan memorialin ABC si simbol i trashëgimisë kulturore e historike të kësaj treve në përkujtim të 110-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në qarkun e Durrësit në 5 prill 1913.
Në ceremoninë e rastit, zhvilluar në kalanë e Ishmit, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako deklaroi se kjo zonë ka një potencial mjaft të madh për zhvillimin e turizmit.

Deputeti i kësaj zone, Jurgis Çyrbja, u shpreh se ky aktivitet promovon vlerat e rralla të trashëgimisë kulturore, patriotike, etnografike dhe turistike të zonës së Ishmit.
Më pas, të pranishmit kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Ishmit dhe në përkujtim të 80-vjetorit të krijimit të çetës partizane të zonës.
Homazhe u zhvilluan edhe në varrin e piktorit me famë botërore Ibrahim Kodra me rastin e 105 vjetorit të lindjes.
Pjesëmarrësit patën mundësi të ndiqnin një shfaqje artisitike si dhe vizitonin panairin me produktet karakteristike të zonës së Ishmit.





