Mbrëmjen e djeshme, shoqata “Durrësi Autokton” ka organizuar “Festën e Ullirit 2021”, e kthyer tashmë në një traditë prej vitesh dhe që simbolizon paqen mes qytetarëve durrsakë.

Aktiviteti nisi me mbjelljen e një fidani ulliri pranë bashkisë së Durrësit dhe më pas u zhvendos në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” ku u shpërndanë titujt “Nderi i qytetit” për tre figura të shquara durrsake.

Me titullin “Nderi i qytetit” pas vdekjes, u vlerësua orëndreqësi i njohur Riza Kapedani, për kontributin e tij në montimin e orës së parë në kullën e bashkisë së qytetit.

Titullin e nderuar e mori pas vdekjes edhe Andrea Gorea, për kontributin e tij në projektimin dhe prodhimin e makinerive dhe pajisjeve bujqësore.

Gjithashtu me “Nder i qytetit” pas vdekjes u vlerësua mësuesi i nderuar Ilia Ekonomi, për kontributin e tij në edukimin dhe arsimimin e brezave.

Koncerti i madh festiv u zhvillua tek salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” nën moderimin e Teuta Dhimës dhe në regjinë e “Mjeshtrit të Madh” Haxhi Rama. Në koncert morën pjesë këngëtarët Alban Kamenica, Reshit Gjini, Julieta Strefi, Raimonda Kamberi, Dhimiter Stefa, Ylli Cifti dhe me performancën speciale të Enver Qerimit me violinë dhe këngëtares së vogël Violeta Beshiri.