Pasditen e së shtunës, shoqata “Durrësi autokton” ka zhvilluar “Festën e Ullirit 2020”, e kthyer në festa tradicionale prej vitesh. Festa nisi me mbjelljen e disa fidanëve ullinj për t’u spostuar më pas tek Pallati i Kulturës ku u shpërndanë titujt “Nderi i qytetit” për disa nga qytetarët më të respektuar të Durrësit.
Në ndryshim nga vitet e kaluara, duke respektuar protokollin anti-Covid, në sallë ishin shumë pak persona. Gjatë aktivitetit, u shpërndanë titujt “Nderi i qytetit” për ish-sekretarin historik të shoqatës “Durrësi” Shpëtim Metani, pas vdekjes. Titullin e nderuar e mori pas vdekjes edhe sportistja dhe mësuesja e edukimit fizik Verushe Myshketa. Me “Nder i qytetit” u nderuan edhe inxhinieri dhe pronari i “Mozzarella Italia” Nazif Tivari dhe shkrimtarja Hiqmete Daja.
Ndërkohë, çmimi special “Mirënjohja qytetare” shkoi për stafin mjekësor të spitalit rajonal të Durrësit, çmim i cili iu dorëzua drejtoreshës Nadire Jani. Për rreth 8 muaj me rradhë, që nga nisja e pandemisë, stafi i bluzave të bardha ka qenë në krye të detyrës, duke u ardhur në ndihmë jo vetëm qytetarëve të prekur nga koronavirusi, por duke ofruar ndihmën e parë edhe për mijëra pacientë që paraqiten për trajtim mjekësor pranë këtij institucioni.





