Një festë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një plumb plagosur tre persona të së njëjtës familje, motër dhe vëllezër.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e Rrugës së “Kavajës” në Tiranë, teksa personat kanë qenë duke festuar. 32-vjeçari me iniciale E. E., ka nxjerrë armën që e mbante pa leje për t’ua treguar kushërinjve të tij, por aksidentalisht e ka shkrepur, dhe plumbi ka gërvishtur dy vëllezërit, dhe motrën e tyre 36-vjeçare e ka plagosur.

“Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës. Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm”, informon policia.

Të tre personat janë transportuar në një spital privat, ku A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, pas ndihmës së parë janë larguar në shtëpi, ndërsa shtetasja E. P., po vijon mjekim, por paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e 32-vjeçarit.