Policia e Shtetit njofton se ka shtuar kontrollet për zbatimin e masave anticovid, në kuadër të ditëve festive 7 dhe 8 Mars.

Në këtë kuadër, nisur dhe nga rastet e shkeljes së masave kufizuese të konstatuara nga shërbimet e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar strukturave vendore të Policisë:

– Organizimin, planifikimin, instruktimin dhe drejtimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, për monitorimin e situatës në territor, për të mos lejuar organizimin e grumbullimeve në vende të mbyllura dhe të hapura, gjatë ditëve festive 7 dhe 8 Mars 2021;

– Monitorimin e mbajtjes së detyruar të barrierës mbrojtëse (maskës) nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë;

– Shtimin e kontrolleve në ambientet e lokaleve, bareve, restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit;

– Ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, për festime, mbledhje partiake, ceremoni fetare/martesore, konferenca apo tubime të ndryshme;

– Kufizimin/ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve, fast food-eve, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;

– Kufizimin/ndalimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve pa arsye të domosdoshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.