Koncerti Gala i Orkestrës së Harqeve Durrës ishte qershia mbi tortë e aktiviteteve përmbyllëse të ketij viti.
Disa nga pjesët më të mira të repertorit botëror të muzikës klasike, të kompozitorëve të famshëm si Giacomo Puccini, Mozart, Armstrong, Di Chiara, Mendez dhe Iturralde, por edhe të emrave të njohur të kompozicionit shqiptar si Prenk Jakova apo Moni Kuriçi erdhën për artdashësit durrsakë nën dirigjimin e Grid Krajës dhe interpretimin e sopranos Eva Golemi dhe saksofonistit Alen Kuriçi.
Për drejtoreshën e Qendrës Kulturore Alketa Tragaj, koncerti i fundvitit është konkretizimi më i bukur i punës së institucionit që ajo drejton dhe njëkohësisht një dhuratë e bukur për publikun besnik, që ndjek aktivitetet e larmishme kulturore.
Për më shumë se një orë, publiku në sallë duartrokiti fort interpretimin e shkëlqyer të orkestrës së harqeve dhe sopranos Golemi, që përmes notave të muzikës klasike ishin kartolina më e bukur e kësaj mbrëmjeje Gala.
M.B.





