Nga dita e sotme nisin lundrimet e dyfishta të trageteve të linjave Durrës-Bari dhe Durrës – Ankona dhe anasjelltas për të përballuar fluksin e pasagjerëve.
Festat e fundvitit përkojnë me kthimin në atdhe të mijëra emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në vendet perëndimore. Lundrimet e dyfishta do të jenë në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor, ku fluksi i lëvizjes do të jetë në hyrje dhe më pas në datat 2, 3, 4 dhe 5 janar në dalje. Në funksion të përpunimit të shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve të tyre do të jenë 30 sportele.
“Fluksi është tani nga Italia në drejtim të portit të Durrësit. Në ditët në vijim presim që të shkojmë maksimumi 2000 pasagjerë për çdo traget, pra 4000 nga Bari dhe 1800 nga Ankona. Janë marrë masat për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet në funksionim. Edhe terminali i trageteve ka marrë masat që t’i hapi të dy sheshet, edhe të importeve, edhe të eksporteve, që dalja nga trageti të jetë sa më e shpejtë. Presim që çdo gjë të shkojë mbarë”,- deklaroi kapiteni i portit më të madh në vend, Tauland Allka.
Fluksi i pasagjerëve përgjatë këtyre ditëve pritet të jetë rreth 10% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por gjithsesi shumë më i ulët sesa në periudhën e sezonit veror.
Në periudhën janar-nëntor të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 716.214 pasagjerë nga të cilët 337 324 në hyrje dhe 378. 890 në dalje.
M.B.