Festat e fundvitit i kanë gjetur blerësit në Durrës me çmime jo shumë të larta, megjithëse një pjesë e tyre artikuj të veçantë i cilësojnë si të shtrenjtë. Në tregun e fruta-perimeve vihet re një shtrenjtim i çmimit të patates dhe qepës, të cilat shiten respektivisht me 80 dhe 120 lekë për kilogram.

Shkak i rritjes së tyre është mungesa e këtyre produkteve në tregun e shumicës si dhe fakti që tashmë një pjesë e sasisë së qepës që vjen në vendin tonë po vjen nga jashtë.

Aktualisht në shumicë dërrmuese prodhimet që tregtohen janë vendase dhe çmimet e mollës, mandarinës, ullirit dhe fruta të stinës, janë në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, madje edhe më lirë.

Blerësit e kanë vënë re rritjen e çmimeve, veçanërisht të qepës dhe patates, por edhe të brokolit dhe sallatrave të tjera.

I vetmi autoritet që duhet të kontrollojë nivelin e çmimeve janë inspektorët e tatim-taksave, por deri në këtë moment nuk rezulton të ketë pasur kontrolle të tilla.