Në galerinë e arteve pamore "Nikolet Vasia" të Durrësit është çelur një ekspozitë me piktura me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit. Ekspozita përmban plot 35 punime, të cilat janë pjesë e Fondit të Galerisë, të realizuara në vaj dhe në teknikën e grafikës.
Pikturat i përkasin periudhës para viteve '90, të realizmit socialist, për nga stili dhe tematika që trajtojnë. Në përgjithësi, ato paraqesin momente historike nga shpallja e Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit.
Tashmë është kthyer në traditë, pasi vit pas viti në këtë periudhë në galerinë e qytetit të Durrësit ekspozohen piktura që sjellin për qytetarët të kaluarën e vendit.
Galeria është vizituar gjërësisht nga durrsakët, turistë të huaj e sidomos nga fëmijët, të cilët shfaqin mjaft interes për figurat kryesore të Pavarësisë e të luftës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit nëntor për të gjithë ata që kanë dëshirë për të njohur më shumë historikun e vendit tone, sjellë përmes veprave të artit.
G.D.