Afro 3000 pasagjerë kanë mbërritur deri mesditën e sotme në portin e Durrësit me 4 tragete që janë nisur nga portet italiane. Tri tragete janë nisur mbrëmjen e djeshme nga porti i Barit dhe një nga ai i Ankonës, duke sjellë rritje të ndjeshme të lëvizjes së udhëtarëve nga të dy brigjet e Adriatikut. 

Pasagjerët shprehen se ka pasur vonesa disaorëshe në portet italiane, për shkak të fluksit të madh të krijuar atje, ndërsa nga ana tjetër në portin e Durrësit procedurat zgjasin më pak në kohë.

Nisja e fluskit në prag të festave të fundvitit ka bërë që kompanitë e lundrimit të shtojnë numrin e tragateve për të përballuar fluksin në fjalë. Dy nga tragetet që kanë mbërritur më herët mëngjesin e sotëm në Durrës janë nisur sërish drejt Italisë për të ardhur përsëri pasdite vonë.

Në total me 6 tragete vetëm gjatë ditës së sotme numri i pasagjerëve pritet të shkojë në rreth 5 mijë si dhe rreth 1500 automjete. Autoriteti Portual në bashkëpunim me degën e Doganës dhe Policinë Kufitare kanë rritur numrin e sporteleve për përballimin e fluksit të udhëtarëve, i cili pritet të zgjasë deri në prag të ndërrimit të viteve.

K.H.