E kthyer tashmë në një traditë, edhe këtë vit në qytetin e Durrësit u zhvillua “Festë Deti 2024”, e cila nisi me shëtitjen në rimorkiatorin “Epidamn” përgjatë gjirit të Durrësit.
Aktiviteti i organizuar nga shoqata “Durrësi Autokton” vijoi më pas me një ceremoni festive me këngë dhe valle nga këngëtarë durrsak dhe grupi i baletit të studios të kërcimit “Arian Plaku” në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës
Gjatë aktivitetit u nderuan tre figura të nderuara të qytetit:
-Petraq Ikonomi “Nderi i Qytetit të Durrësit”
-Fatmir Hima “Krenaria e Futbollit Durrsak”
-Viola Gjyzeli “Mirënjohja e Qytetit”
Petraq Ikonomi dhe Fatmir Hima, janë dy nga ish-futbollistët më në zë të Lokomotivës së Durrësit. Me talentin e treguar në fushën e blertë ato kanë shënjuar ndër vite historikun e klubit të futbollit të qytetit si dhe kanë fituar adhurimin dhe dashurinë e sportdashësve durrsakë.
Ndërkohë, figura e tretë e nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, është këngëtarja 12-vjeçare Viola Gjyzeli, e cila na përfaqësoi denjësisht në edicionin më të fundit në “Eurovision Junior”.