Milani fiton në derbi në kampionat pas më shumë se 4 viteve. Kuqezinjtë kanë mposhtur Interin ditën e sotme, me rezultatin 2-1. Zlatan Ibrahimoviç ishte padyshim protagonisti kryesor, teksa me dopietën e tij në minutat 13’ me penallti dhe 16’, i dha fitoren të besuarve të Piolit.
Pjesa e parë ishte me të vërtetë spektakolare, teksa u shënuan të 3 golat e ndeshjes, me Lukakun që realizoi në minutën e 29’ për Interin.
Pjesa e dytë foli thuajse e gjitha për Interin, që dominoi gjatë gjithë kohës, duke kërkuar me ngulm golin, por pa sukses, ndonëse iu afrua disa herë me Lukakun.
Zikaltërit fituan penallti në minutën e 76’, kur Donaruma ndërhyn ndaj Lukakut dhe arbitri akordon penallti. Megjithatë pas konsultimit me VAR, ndryshohet vendimi pasi sulmuesi zikaltër ishte në pozicion jashtë loje më parë.





