Duhen edhe 8 ditë nga fillimi i Botërorit në Rusi dhe shumica e kombëtareve janë të grumbulluara për të nisur këtë kompeticion. Edhe kombëtarja e Meksikës ka udhëtuar drejt Skocisë ku luajti një miqësore dhe e fitoi me rezultatin 1-0. Por 48 orë pas ndeshjes, ka dalë një skandal seksual që përfshin shumë lojtarë të formacionit meksikan.
Sipas revistës “TV Notas”, tetë pjesëtarë të ekipit Huan Karlos Osoria morën pjesë në një festë private me prezencën e 30 prostitutave. “Unë pashë Memo Oçoan, Karlos Salsedon, Hektor Herrerën, Hezus Gajardon, Xhonatanin, Xhovani Dos Santosin, Raul Himenezin dhe Marko Fabian. Erdhën rreth orës 22:30 dhe aty kaluan shumë mirë, me muzikë, lojëra, alkool dhe shumë femra. Kishin natën të lirë dhe nuk i kishin marrë bashkëshortet apo të dashurat”, thoshte një dëshmitar, që nuk është bërë publik nga revista.
Mediat tregojnë se festa zgjati deri në orën 4 të mëngjesit të ditës tjetër dhe lojtarët thoshin se nuk ishin shoqëruar për “t’u sjellë pak keq”.Ndërkohë që lajmi po bën bujë në vendin e tyre, lojtarët e Meksikës gjenden aktualisht në Danimarkë ku të shtunën do të luajnë një miqësore me këtë skuadër.
Do të jetë paraqitja e fundit përpara se kombëtarja e Meksikës të debutojë në Botëror përballë Gjermanisë në datën 17 qershor. Por kjo nuk është as hera e parë dhe e fundit që ngjarje të tilla ndodhin përpara kompeticioneve të rëndësishme të futbollit.





