TIRANE- Skena e ish-Pallatit të Kongreseve thuajse është gati për ngjarjen kulturore më të madhe të vitit, festivalin e 51 në Radio Televizionin Shqiptar. Nën kujdesin e mjeshtrit Adnand Kastrati, skenografia thuajse ka përfunduar dhe mund të përkthehet ndryshe në fjalën e fundit të teknologjisë.
Një ledwall gjigand dhe ndriçues robotë, do të pasurojnë ndriçimin dhe ti japi jetë sallës së madhe. Ndërkaq kanë mbërritur në Tiranë regjisorët kosovarë Agron Vulaj dhe Astrit Idrizi të cilët do të jenë në pultin kryesor më 20-21-22 dhjetor. Ndryshe nga çdo herë tjetër ka një rregull absolut të këngëtarëve konkurrentë në prova, çka do të thotë që secili ka orarin e tij, duke shmangur kështu përplasjet. Sipas bashkëskenaristit të Festivalit Edi Oga, ky rregull do të ndihet edhe gjatë netëve të spektaklit. Fituesi i festivalit të 51, do të ketë privilegjin ashtu sikurse çdo vit tjetër, të konkurojë në Eurosong duke prezantuar vendin tonë në këtë event me rëndësi të madhe në kulturën evropiane. Në festivalin e sivjetshëm të Eurosong këngëtarja Rona Nishliu, fituese e festivalit të 50 në RTSH zuri vendin e pestë duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.
GJETJA
Mund të konsiderohet fat pjesëmarrja e publikut masiv në sallë për të ndjekur festivalin e 51 në RTSH, e kjo pasi secili prej spektatorëve mund të ketë ëndërr të jetë spektator i Eurosong 2013 që do të zhvillohet në mes të majit, në Suedi. Biletat që do të shiten natën e parë e të dytë të festivalit do të jenë pjesë e shorteut të rrallë. Në fund të natës së parë dhe natës së dytë, do të përzgjidhet nga një biletë fituese, ku personi do të ketë mundësinë të shkoj në çift për të ndjekur eventin ndërkombëtar. Ky fakt ka ngjallur interes që në javën që shkoi e mësojmë se në tre pikat e biletarisë te TOB, RTVSH e Pallatin e Kongreseve, kërkesat e qytetarëve kanë qenë jashtë parashikimeve. "Është një mundësi e mirë jo vetëm për të qenë pjesë e këtij shorteu, por festivali i RTSH, ka një traditë që e bën shumë të vlerësuar. Këtë vit është edhe 40 vjetori i festivalit të 11, ndaj kam kënaqësi të rikthehem në ato kohëra, sepse kam dëgjuar se të dy netët do të ketë pjesë të përzgjedhura nga ky festival", thotë Liri Beliu një zonjë nga Tirana e cila do të jetë pjesë e spektatorëve natën e parë.
TË FTUARIT
Çifti bukurosh nga Azerbajxhani Ell&Nikki (Eldar Gasimov & Nigar Jamal), fituesit e Eurosong 2011, do të mbërrijnë në Tiranë për të qenë prezent në festivalin e vërtetë të muzikës shqiptare, në këtë festival ku çdo instrument e këngëtar performon live. Ata do të perfojmojnë po live këngën "Running Scared", që i bëri fitues në festivalin evropian. Të ftuar do të jenë edhe grupi hungarez "Compact Disco" të cilët ishin finalistë në Eurosong 2012 me këngën e tyre "Sound of our hearts". Një tjetër super grup do të mbërrij në Tiranë vetëm për festivalin e 51 në RTSH. Gjithkush e mban mend superkëngën e tyre "Lejla". Janë një grup që rreshtojnë 1000 koncerte në të gjithë botën e mbi 5,000,000 albume të shitura. "Hari Mata Hari" nga Bosnje-Hercegovina do të shkelin për herë të parë në Shqipëri për të qenë pjesë e këtij festivali. Ndërkaq drejtuesit e festivalit mbajnë sekret edhe emra të tjerë të njohur të muzikës që do të jenë mes të ftuarve në këtë event.