Edicioni IX i Festivalit të Këngëve Korale të shkollave 9-vjeçare të Durrësit, startoi paraditen e sotme.
Aktiviteti i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, në kuadër të 14 nëntorit 1944, ditës së çlirimit të Durrësit, është kthyer tashmë në një traditë të bukur në qytet.
15 shkolla pjesëmarrëse konkurojnë mes tyre me një repertor të pasur, ndërkohë që do të jetë juria profesioniste që do të vlerësojë performancat më të mira.
“Është një aktivitet i kthyer në traditë për të gjitha shkollat pjesëmarrëse të ciklit 9-vjeçar. 15 shkollat pjesëmarëse po paraqiten me repertor të ndryshëm, por vlen të theksohet se himni kombëtar bën pjesë në repertorin e detyrueshëm për secilin kor.
Shpresojmë që në finale të fitojë më i miri”,– tha përgjegjësi i sektorit të artit pranë QKF-së, Arian Plaku, për “DurrësLajm”.
Të martën dhe të mërkurën, koret e 15 shkollave pjesëmarrëse interpretojnë në odeonin e Qendrës Kulturore, ndërkohë finalja e këtij festivali zhvillohet paraditen e së enjtes në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.