Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirana Sako përmes një statusi në rrjetet sociale bën me dije se ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, BiArch 2021, që zhvillohet në Bari të Italisë.
Në konferencën e dedikuar qyteteve të Durrësit, Tiranës dhe Barit, kryebashkiakja Sako shprehet se ka prezantuar të gjitha etapat e procesit të rindërtimit në qytetin bregdetar pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.
Gjithashtu Sako në këtë konferencë ka deklaruar se “Durrësi po ringrihet edhe më i fortë se më parë dhe se të gjithë qytetarët e Durrësit do të kenë një qytet më të mirë, më të bukur dhe me mundësi të reja zhvillimi”.
Postimi i plotë:
Në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, BiArch 2021, që zhvillohet në Bari, në Itali.
Një nga konferencat e këtij festivali ju dedikua Durrësit, Tiranës dhe Barit. Kam prezantuar përpara pjesëmarrësve, të gjitha etapat e procesit të rindërtimit në Durrës pas tërmetit tragjik të 2019 duke vënë theksin në reagimin e menjëhershëm të qeverisë shqiptare që mundësoi këtë proces duke dhënë një shembull edhe për vende të tjera pasi i gjithë ky program kompleks rindërtimi po realizohet në një kohë të shkurtër duke tejkaluar edhe vështirësitë e krijuara nga pandemia globale.
Deklarova se aktualisht në sajë të këtij procesi të suksesshëm, Durrësi po ringrihet edhe më i fortë se më parë dhe se të gjithë qytetarët e Durrësit do të kenë një qytet më të mirë, më të bukur dhe me mundësi të reja zhvillimi.