17 korrik 2015 – Skena e Butrintit prej datës 18 deri më 23 korrik do të mirëpresë Festivalin e 13-të Ndërkombëtar të Teatrove.
Do të jetë teatri i Sofies që do ta çelë këtë festival me shfaqjen “Dekameroni”, me regji të Diana Dobrevës, më 18 korrik.
Në ditën e dytë do të jetë teatri “Silence” i Bergamos në Itali, që vjen në këtë festival me veprën “Zëra të huaj”, me regji të Luigi Pezzoti-t.
Në ditën e tretë më 20 korrik, do të jetë teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, që do të prezantohet në skenën antike të Butrintit me një nga pjesët më të suksesshme të këtij viti, “Elektrën” me regji te Laert Vasilit.
Më pas me 21 korrik, radha për t’u ngjitur në skenë i takon trupës së teatrit të komedisë së Shkupit, me shfaqjen “Lisystrata” e Aristofanit, me regji të Natasha Poplavskës.
Festivali në Butrint do të mbyllet nga një vepër e njohur që vjen nën interpretimin e aktorit të shquar durrsak Mirush Kabashi.
Si çdo vit, Festivali Nderkombëtar i Teatrove realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/