Energjia e qëndrueshme, mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Këtë mesazh ka përcjellë nga Durrësi Ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, cili përkrah kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, ka promovuar Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, e cila për herë të parë festohet edhe në Durrës. Dita Botërore e Turizmit, e cila festohet çdo vit në datën 27 Shtator ka për qëllim forcimin dhe ndërgjegjësimin mes komuniteteve ndërkombëtare për rëndësinë e turizmit dhe vlerat sociale, ekonomike, kulturore dhe politike që ai sjell.

Gjatë fjalës së tij ministri Bumçi theksoi se “të patjetërueshme janë vlerat e energjisë së rinovueshme, për përmirësimin e mjedisit parësor për zhvillimin e turizmit”. Në këtë ditë ditë të rëndësishme për turizmin, ministri Aldo Bumçi ka vënë theksin në rëndësinë e kursimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri. Të njëjtin mendim me të ndanë edhe zv/ministri i Mjedisit Taulant Bino dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Ministri Bumçi u shpreh se Ministria e Turizmit do mbështesë edhe më shumë  në të ardhmen zhvillimin dhe promovimin e energjisë së qëndrueshme, ku tashmë janë ndërmarrë dy nisma njëra prej të cilëve po zbatohet në bujtinat e veriut të vendit. Në kuadër të kësaj nisme në këto godina janë vendosur panele diellore.

Në të njëjtën kohë, subjektet që operojnë në fushën e hoteleri-turizmit, do të promovohen nga subjektet turistike gjermane në panairet e tyre. Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi në këtë aktivitet se turizmi duhet të jetë gjithëpërfshirës në kohë dhe në cilësi, dhe të mos mbetet vetëm gjatë sezonit veror.