BETLEHEM – Mijëra pelegrinë të krishterë, nga e gjithë bota, festojnë lindjen e Jezusit në Betlehem. Dita kulmoi me Meshën e prag-Krishtlindjes në Kishën 1700-vjeçare të Lindjes, të ndërtuar në vendin ku besohet se Jezusi u lind.
Këtu, kreu i Kishës Katolike Romane në Jeruzalem, shprehu mbështetjen e tij për shtetin palestinez. Sakaq, në Vatikan, Papa Benedikti i XVI, mbajti meshën tradicionale në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ai nxiti besimtarët të gjejnë kohë dhe hapësirë për Zotin, në jetët e tyre, që ikin shpejt.
Papa Benedikti u lut po ashtu që izraelitët dhe palestinezët të kenë mundësi të jetojnë në paqe, e po kështu u lut për paqe edhe në Liban, Siri e Irak. Mesha, zakonisht e mbajtur në mesnatë, u soll përpara me 2 orë, për të shmangur lodhjen e Papës 85-vjeçar. Më vonë gjatë ditës së sotme, Papa do të mbajë fjalimin e tij tradicional drejtuar botës.