22 mars 2014– Besimtarët bektashinj kremtojnë sot festën e Sulltan Novruzit. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, në prani të shumë besimtarëve, kreu i bektashinjve mbajti fjalën përshëndetëse, duke u lutur për mirësi, bashkim dhe begati mes njerëzve.
Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin.
Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Meta uron besimtarët
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, shëqeruar nga bashkëshortja e tij, kanë zhvilluar një vizitë në Kryegjyshatën e Bektashinjve dhe pas saj ka percjellë me anë të një deklarate për mediat urimin për gjithë besimtarët.
“Në këtë ditë të mrekullueshme të Sulltan Novruzit, në këtë ditë të re, që sjell shpresa të reja për të gjithë, dua të uroj të gjithë besimtarët bektashianë, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë për një të ardhme më të mirë, për më shumë shpresë dhe për më shumë bashkëpunim. Jam i bindur se kjo është një ditë që na fton të gjithëve për të qenë më të mbarë dhe më besimplotë drejt së ardhmes”,- deklaroi Kryetari i Kuvendit.
Urimi i Bashës
Kreu i Partisë Demokratike pas vizitës në Kryegjyshatën e Bektashinjve ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Sulltan Novruzit. Sipas Bashës, kjo festë simbolizon faktin që e mira triumfon mbi të keqen dhe drita mbi errësirën.
“Të gjithë besimtarëve bektashinj dua t’i uroj gëzuar Sulltan Novruzin. Sot dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve të çdo besimi këtë ditë të veçantë, e cila shënon fitoren e dritës mbi errësirën dhe në këtë mënyrë simbolizon shpresën dhe besimin tek e ardhmja. Simbolizon faktin që në natyrën e gjërave, natyrën e punëve të Zotit, të perëndisë dhe në vetë natyrën njerëzore e mira triumfon mbi të keqën. Është pra, një ditë e shpresës, një ditë e besimit, ndaj është një ditë për të gëzuar të gjithë qytetarët, të gjithë njerëzit pavarësisht prej besimit të tyre fetarë. Gëzuar për shumë vjet!”,- tha Basha.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





