Versioni i vetëvrasjes së gardistit Shkëlzen Qordja bëhet akoma më misterioz nga një detaj që ka dalë gjatë hetimeve. Sipas një raportimi të Top Channel, Qordja ka qenë duke festuar në një nga lokal nate, pak orë para se të parkonte makinën në garazhin e gardës.

Shkëlzen Qordja, shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj u përcoll për në banesën e fundit mesditën e së dielës. 31-vjeçari i dha fund jetës në rrethana misterioze duke qëlluar veten më armën e shërbimit, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Sipas burimeve policore, i ndjeri rezulton se pak orë para se të parkonte automjetin ku u vetëvra në mjediset e gardës, ka qenë duke festuar në një nga klubet e natës në kryeqytet.

Ky version konfirmohet edhe nga të afërm të 31-vjeçarit, i cili sipas tyre kishte postuar edhe video në rrjetet sociale.

Ndërkohë, familjarët e viktimës përmes një deklarate për mediat, kërkuan që politika mos shkelmojë mbi trupin e njeriut të tyre dhe mos të fabrikojë fantazi apo versione që rëndojnë pozitën e të ndjerit.