Tiranë, 5 prill 2014 – Kryeministri Edi Rama detyroi drejtuesin e emisionit “Opinion” në TV Klan Blendi Fevziu, të ndryshojë skaletat e përgatitura duke mos transmetuar një nga kronikat tepër të ashpra që kishte përgatitur dhe duke kërkuar nga regjia heqjen e zërit nga një prej kronikave pasardhëse. Që në fillim, Rama vuri në dukje njëanshmërinë që drejtuesi i emisionit prezantoi në pyetjet e tij dhe në alternimet përmes paraqitjes së kronikave për elementë të ndryshëm të bllokut të pyetjeve, të shoqëruara të gjitha me komentin e gazetarit, çka e ka detyruar kryeministrin t’i kujtojë drejtuesit të emisionit që “ky s’është shtypi që i duhet vendit, kjo nuk është gazetari”. Këtë qëndrim e ka përcjellë disa herë, duke e vënë shumë në siklet drejtuesin e emisionit, që ka filluar të ndryshojë listën e kronikave. Deri atëherë kishte transmetuar disa inserte të përgatitura nga redaksia që Rama i ka kritikuar me tone të ashpra. Kjo e ka detyruar drejtuesin e emisionit që të zbusë qëndrimin, duke hequr nga skaleta një kronikë, gjë të cilën Rama vetë e kundërshtoi duke thënë se “nuk është e nevojshme të hiqet, por ta paraqisni, që publiku të shohë se çfarë shtypi bëni ju”. Pastaj ka ardhur radha e kronikës së dytë e përqendruar në ngjarjen e Mallakastrës, kur policët liruan me forcë godinën e paligjshme që ishte pushtuar nga njerëzit. Fevziu ka urdhëruar regjinë ta transmetojë “vetëm si mbulim pa audio”, ndoshta duke qenë i trembur nga teksti i përgatitur që shoqëronte sinkronin.
/gazeta “Dita”/





