ITALI – "Mario është i papërgjegjshëm dhe nuk interesohet më për ne. Unë do ta bëj testin e ADN-së për t’i treguar botës që Pia është vajza e tij”,- tha Raffaella Fico gjatë një interviste për të përjavshmen italiane 'Chi', që del në shtyp ditën e nesërme.
"Ai vlen më shumë sesa 'Mona Lisa' e Leonardo da Vinci, por për vajzën e tij nuk ka paguar asnjë qindarkë,- thotë ish e dashura e yllit të Mançesterit Sitit. Për mua Mario është i papërgjegjshëm, pasi në një moment nuk u interesua më as për mua, as për vajzën tonë”.
“Nëse vajza do të rezultonte që ishte e tija ne do të martoheshim. Ky ishte projekti jonë, dëshira jonë. Po në një moment gjithçka ndryshoi dhe unë nuk e di pse ndodhi”,- vazhdon Fico.
Ish e dashura e Balotelit tregon se futbollisti nuk ka dashur të takojë vajzën e tij. Ajo rrëfen se në sallën e lindjes kanë qenë prezentë mamaja e saj dhe vëllai, i cili ka filmuar gjithçka.
“Marios i dërgova mesazh në orën 15.00 kur më filluan dhimbjet dhe vazhdova t’i dërgoj deri në orën 18.30, kur u futa në sallë. Pas lindjes së Pias i dërgova sërish mesazh. Vetëm gjysëm ore pasi kishte kaluar mesnata më mori në telefon. Kur i thashë që kisha lindur mu përgjigj se atij nuk i interesonte kjo gjë. Mbylli telefonin dhe që atëherë nuk e kam dëgjuar më”,- mbyll rrëfimin e saj Rafaela Fico.