Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Turqia nuk dëshiron asnjë konfrontim me Izraelin në Siri, duke theksuar se sulmet e përsëritura izraelite në objektet ushtarake po dëmtojnë aftësinë e qeverisë siriane për të frenuar kërcënimet. Fidan i bëri këto komente në një intervistë për “Reuters”, para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai shtoi se veprimet izraelite po hapin rrugën për destabilizimin rajonal në Siri, ku administrata e presidentit Ahmed al-Sharaa është një aleat i ngushtë i Turqisë. Fidan theksoi se nëse Damasku dëshiron të zhvillojë “mirëkuptime të caktuara” me Izraelin, kjo është çështje e tij.

Izraeli ka realizuar sulme ajrore ndaj infrastrukturës ushtarake në Siri që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, duke çuar në tensione të mëtejshme mes dy vendeve, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën për përpjekje për të siguruar dominimin në rajon.