"Në ciklin e Forumeve UET, për një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë këtë të martë, ishte i ftuar deputeti Fidel Ylli. Ai është i ftuari i parë në kuadrin e hapjes së programeve të reja të studimit të sporteve, që janë pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, të ristrukturuar".

Deputeti i Durrësit ka treguar se ka qenë kryeministri Edi Rama që e ka bindur të marrë vendimin për tu bërë pjesë e politikës shqiptare, ndërsa tregon se përmirësimi i situatës së sportit në vend ka qenë shtysa e tij e vetme. Më tej Ylli ndan me studentët një pjesë të bisedës me kryeministrin Rama ku i ka thënë se "nëse ti do më presësh në besë, do më kesh kundër".

"Kjo politikë që është në Shqipëri, është kaq e ashpër, kaq e keqe… Politika në thelb është gjë e mirë, e bëjnë familje të mëdha, njerëz me kulturë, me botë, por këtu është shumë e ashpër. Ka hyrë çdo lloj njeriu në parlament, vetëm se merr disa vota diku dhe është bërë pjesë e politikës. Ndonjëherë vihesh edhe ti në siklet. Megjithatë një fjalë e kryeministrit më ka bindur që t’i hyj politikës. Kryesisht kam dhënë fjalën që kur të bëhem pjesë e saj, nuk do të flas për ato gjëra që nuk më takojnë, por për ato të cilat janë pjesë e edukimit tim. Edhe ju e keni parë që përgjatë gjithë kësaj kohe për këtë kam folur, për reforma në sport, për edukimin, për mediat. Kryeministri më thoshte që duhet të vish, të bëhesh anëtar i Parlamentit sepse unë kam nevojë për ty. Unë i kam thënë jo, i kam thënë se nuk kisha dëshirë të bëhesha pjesë e politikës. Unë di që je mirë, tha, të gjithë e dinë që nuk je njeri i korruptuar, se i ke bërë bizneset me sakrifica, pse do të më lësh vetëm. Dhe më tregoi për kryeministrin e Spanjës, Aznarin, të cilit i kanë bërë vërejtje se Parlamentin dhe Qeverinë e kish ndërtuar me shokët e tij. Përgjigjja e tij, tha, ishte: ‘Po me shokët e mi e kam bërë, se me këta kam ëndërruar ta bëj Spanjën’. Rama më tha: ‘Unë me ty jam ulur në ’86-87, që shanim sistemin, që donim ndryshim, dhe tani përse do të më lësh vetëm?’. Fabula ishte te morali. Atëherë unë i thashë do ta mendoj, dhe pasi mendova, vendosa, dhe i kam thënë dy fjalë, unë do merrem me reformën në sport se sportin e kam jetën time. Por nëse ti do më presësh në besë, do më kesh kundër", tha Ylli.