DURRËS, 26 qershor 2013 – Myzeqarët e “Kryengritjes së Fierit” do të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm për një lagje në Katundin e Ri.
Drejtoria ekzekutive e kompanisë publike “Ujësjellës Kanalizime Sha Durrës”, më 17 qershor 2013, 6 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, ka dërguar formularin e njoftimit te fituesit për një firmë në Fier, që e ka selinë në lagjen “Kryengritja e Fierit”.
Myzeqarët do të zbatojnë kontratën e titulluar “Përmirësim i furnizimit me ujë lagja Shahine, komuna Katundi i Ri” me fondet e kompanisë publike durrsake, që kishte vënë në dispozicion një fond limit prej 17.695.977 lekë me afat për dorëzimin e punimeve 45 ditë nga nënshkrimi i kontratës.
Në tender ka qenë pjesëmarrës vetëm një ofertues, firma nga Fieri, që uli fondin deri në vlerën 12.920.174 lekë dhe, sipas kompanisë publike, prandaj është “identifikuar si ofertë e suksesshme”.
“Ujësjellës Kanalizime Sha Durrës” është në varësi të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, me titullar në ikje, pas 23 qershorit, z. Sokol Olldashi, që ka emëruar dhe drejtorin e entit publik.
Z. Olldashi ishte kryetar i shtabit elektoral “blu” në qarkun e Fierit, ku fitoi si deputet, meqë ishte i pari në listën e PD-së, por e djathta këtu pësoi një “Vaterlo” të vërtetë: 11 me 5.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





