Partia Socialiste vijon fushatën për zgjedhjet e 11 majit, me një tjetër takim madhështor, këtë herë në Fier. Zv.kryeministrja Belinda Balluku, në një fjalim entuziast para qytetarëve, theksoi objektivat ambiciozë të PS-së për këtë qark: të paktën 10 mandate deputetësh.

“Ata që hedhin baltë çdo ditë mbi ne, e ndjejnë shumë këtë mandat të katërt që po kërkojmë. Por ky nuk është mandati ynë, është mandati i shqiptarëve, për marrëveshjen që Edi Rama ka nënshkruar me ta: për ta çuar Shqipërinë në BE,” u shpreh Balluku.

Ajo tha se Shqipëria do të votojë për PS-në, jo vetëm për programin, por për vizionin afatgjatë të lidershipit të kryeministrit.

“Fieri, Patosi, Divjaka – çdo shqiptar duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. Nuk ka më bukur se kur mblidhemi të gjithë bashkë për të çuar këtë vend përpara, ashtu siç vetëm Edi Rama di ta bëjë,” u shpreh Balluku.

Sipas saj, nëse mbështetja qytetare vijon me të njëjtin intensitet si më parë, rezultati në Fier mund të jetë edhe më i lartë.

“Shoku Gramoz më tha sot në mëngjes: presim edhe 11 mandate nëse jemi të gjithë bashkë,” përfundoi Balluku.

Fushata vijon me ritme të larta, ku fokusi i Partisë Socialiste mbetet integrimi europian dhe një fitore e thellë në çdo qark.