Spanjë, 2 prill 2014 – FIFA bllokon merkaton e Barcelonës, si përsa i përket lojtarëve që mund të blejë ekipi spanjoll ashtu edhe për ata që kërkon të shesë. Vendimi i marrë nga organizmi i lartë sportiv ka fuqi vepruese për 14 muajt e ardhshëm. Në këtë mënyrë, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të veprojë me dorë të rëndë për të ndëshkuar shoqërinë katalanase, e cila nuk do të ketë mundësi që gjatë sesioneve të merkatos korrik-gusht 2014-janar 2015 të shesë dhe blejë asnjë lojtar, si brenda ashtu edhe jashtë Spanjë.

Klubi është gjobitur gjithashtu edhe me 450 mijë franga dhe i është lejuar një afat prej 90 ditësh për të sqaruar situatën.

Vendimi që shkaktoi një tërmet në Katalonjë u mor pasi nga hetimet e kryera shoqëria rezulton fajtore për dhunimin e disa dispozitave që lidhen me transfertat e lojtarëve minorenë jo spanjollë në periudhën 2009-2013. Sipas normave ndërkombëtare, transferimi i një lojtari lejohet vetëm kur ai është në moshë madhore dhe këtu bëjnë përjashtime vetëm disa raste të veçanta.

Në vendimin e FIFA-s bie në sy edhe vendimi për gjobitjen e Federatës Spanjolle me 500 mijë franga, pasi nuk ka arritur të parandalojë veprimet e shoqërisë në fjalë.

Ekipi i Barcelonës ka reaguar menjëherë duke thënë se masat e marra nga FIFA po analizohen për të përgatitur apelimin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/