Lionel Mesi është “The Best” për FIFA-n edhe për vitin 2023. Mesa duket lajmi i triumfit të tij në ceremoninë gala në Londër, ka gjetur të papërgatitur edhe yllin e Argjentinës, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë. Kur të gjithë ishin përgatitur për të parë të kurorëzohej Erling Haland, fitues është shpallur 36-vjeçari, vetëm tre muaj pasi u bë kampion i “Topit të Artë” për të tetën herë. Por mesa duket Halandit nuk i mjaftoi sërish tripleta e fituar me Mançester Sitin, i cili është renditur në vend të dytë, ndërsa i treti përfundoi sulmuesi i PSG-së, Kilië Mbape.
Mediat norvegjeze kanë reaguar pas këtij vendimi duke e cilësuar si skandal dhe mashtrim. “Mashtrim, skandal” kryeson Dagbladet ku nxjerr në pah edhe reagimin e babait të Erling, Alf Inge, teksa ngriti vetullat në momentin e zgjedhjes së fituesit. Reagon mesfushori norvegjez Karl-Erik Torp: “Tani më duhet të qetësohem pak. Jam i befasuar. Me gjithë respektin për Lionel Mesin, për mendimin tim futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Por Haland ishte vendimtar në sezonin joreal të Siti. Unë do të thosha se ishte një skandal”.





