6 gusht 2015 – Asnjë humbje në katër ndeshje të luajtura në Euro 2016. Një ecuri rekord në fushë, që pasqyrohet edhe në statistika. Shqipëria është rritur në mënyrë progresive në renditjen e FIFA-s, prej nisjes së edicionit kualifikues në shtator të vitit 2014. Fitorja 1-0 në fushën e Portugalisë, e katapultoi Kombëtaren nga vendi i 70-të në të 45-in në klasifikimin botëror. 25 pozicione të fituara pas suksesit historik në Aveiro me golin fluturimthi nga Bekim Balaj. Barazimi 1-1 në shtëpi përballë Danimarkës u reflektua në renditje. Vetëm tri ditë pas ndeshjes, në tetor 2014, kuqezinjtë humbën tre pozicione. Zbritja në klasifikim vazhdoi. Gjithçka e lidhur me ngjarjet skandaloze të 14 tetorit në Beograd, ndërprerjen e ndeshjes pas dhunës dhe racizimit ndaj lojtarëve shqiptarë dhe vendimit të paprecedentë të disiplinorit të UEFA-s, për t’i dhënë fitoren në tavolinë serbëve. Kombinuar edhe me barazimin me Francën e humbjen me Italinë në miqësore, Kombëtarja rrëshqet në vendin e 50-të në muajin nëntor.
Konfirmimi i dënimit nga Komisioni i Apelit të UEFA-s dhe zvarritja e çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk e përmirësuan situatën. Mes dhjetorit të vitit 2014 dhe shkurtit 2015, Shqipëria e sheh veten në vendin e 58-të dhe më pas në të 63-in. Përmirësimi i pozitave vjen në mars, ku pa luajtur asnjë ndeshje, por duke përfituar nga lëvizjet e skuadrave të tjera, Kombëtarja fiton dy pozicione. Me suksesin 2-1 përballë Armenisë në “Elbasan Arena”, muaji prill i gjen kuqezinjtë të 57-tët në botë, pozitë që ruhet edhe në maj. Pa zbritur në fushë, skuadra e De Biasit ngjitet në vendin e 51-të për muajin qershor. Në këtë moment, vjen një tjetër triumf historik, ai në miqësoren përballë Francës. Fitorja përballë organizatorëve të Europianit 2016 shoqërohet me pozicionimin më të mirë të të gjitha kohërave. Shqipëria fiton 15 vende në klasifikimin e FIFA-s dhe renditet e 36-ta, duke përmirësuar primatin e mëparshëm, të muajit prill 2013, kur ndodhej e 37-ta. Pas zbardhjes së vendimit nga CAS e Lozanës, që përmbysi UEFA-n, duke i dhënë Shqipërisë fitoren në tavolinë, Shqipëria tashmë është e 22-ta në botë. Jo rastësisht rekordet janë bërë për t’u thyer. E njëjta vlen edhe për historinë, që mund të rishkruhet. Kombëtarja vazhdon ëndrrën drejt kualifikimit të parë në një eveniment madhor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/