Itali, 28 korrik 2014 – Nga një kandidatët favorit për të marrë presidencën e Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio i ka hapur gropën vetes me një gafë të rëndë që po i bie si çekan mbi kokë sepse presioni për t’u tërhequr nga gara po vjen duke u shtuar. Kushedi ku ishte Tavecchio në ditën kur një banane u lëshua në fushë ndaj Dani Alves nga tifozët e Villarrealit.
Me atë gjest të thjeshtë, mbrojtësi i Barçës bëri historinë, kur e mori frutin dhe si kundërpërgjigje nisi ta përtypte. Gjatë një fjalimi, 71-vjeçari duke iu referuar lojtarëve me ngjyrë tha se nëse më parë ata hanin banane, tani luajnë futboll për Lazion. Komente të pastra dhe të padiskutueshme me nota raciste, në një kohë kur e gjithë bota po përpiqet ta luftojë si e bashkuar këtë fenomen. Cfarëdo që të thoshte zëvendëspresidenti i federatës më pas, ndoshta nuk do t’i justifikonte komentet e tij. Kjo deklaratë që ka ngjallur mjaft polemika e debate në Itali nuk ka mundur t’i shpëtojë edhe FIFA-s.
“Raportimet e medias për komente raciste nga njëri prej kandidatëve për president të Federatës Italiane kanë alarmuar Taks Forcën kundër racizmit në FIFA, si dhe shefin e saj Jeffrey Webb. Në lidhje me këtë situatë, i kemi dërguar një letër Federatës Italiane ku kërkojmë që të ndërmerren hapat e duhura, të hetohet, të vendoset dhe më pas të raportohet te FIFA”.
Ishte ky mesazhi i prerë që përcolli qeveria botërore e futbollit në adresë të autoriteteve italiane. Tavecchio kërkoi dy herë falje pas vorbullës së polemikave që shkaktoi, por në asnjë moment nuk dha sinjale se mund të tërhiqet nga gara për drejtimin e federatës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





