9 dhjetor 2014 – Fifa refuzon kërkesën e Barcelonës për të bërë qoftë edhe 1 blerje të vetme në merkaton e Janarit. Skuadra katalanase iu drejtua qeverisë së futbollit botëror me një kërkesë të tillë pasi dëshiron të ndërhyjë në merkaton e dimrit për të gjetur një zëvendësues për mbrojtësin e dëmtuar Thomas Vermaelen.
Megjithatë përgjigjja e Fifa-s kundrejt Barcës ka qenë negative dhe në këtë mënyrë klubi blaugrana nuk do të ketë mundësi të ndërhyjë në merkaton e dimrit pavarësisht se aktualisht është në pritje të vendimit që do të japë gjykata e arbitrazhit sportiv në lidhje me skualifikimin që ata kanë marrë nga Fifa. Barcelona për shkak se ka firmosur me lojtarë minorenë jo konform të gjitha rregullave përpara disa vitesh, është dënuar nga qeveria e futbollit botëror, që të mos ketë mundësi të blejë asnjë futbollist në dy sesionet e ardhshme të merkatos, dhe pavarësisht përpjekjeve të presidentit Josep Maria Bartomeu për të bërë diçka, Barça do ta vuajë këtë skualifikim duke filluar që nga merkato e muajit Janar.





