Pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Evropian në Francë ishte tema e revistës televizive të FIFA-s, të transmetuar nga Eurosport. Kur kanë mbetur më pak se dy muaj nga starti i Euro 2016, kualifikimi i Shqipërisë, mbetet në qendër të vëmendjes. Një arritje, që u shoqërua me festë në gjitha trojet shqiptare, por edhe kudo nëpër botë. “FIFA Magazine” shoqërohej me deklaratat e protagonistëve të suksesit nga trajneri De Biasi që e cilëson një arritje për të gjithë kombin shqiptar.
Gianni De Biasi: “Në karrierën kam arritur disa suksese, por kjo është arritja më e madhe, pasi nuk është njësoj si të bësh diçka për një klub, por të arrish një objektiv për të gjithë vendin. Më e rëndësishme se rezultatet, është mënyra si arritëm të bashkonim të gjithë popullin shqiptar, që për arsye politike jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Për mua, kjo ishte fitorja e njerëzve që ishin të bashkuar rreth një flamuri: dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka pranoi që futbolli shqiptar ka bërë përparime dhe shprehu besimin se do të vazhdojë të ecë përpara. Kreu i FSHF theksoi se janë hedhur baza të forta dhe ka besim se Shqipëria do të ketë të ardhme, për ekipin Kombëtar por edhe në kampionatin vendas. Mes protagonistëve të kualifikimit nuk mund të mungonte edhe kapiteni Lorik Cana. Një tjetër vend ëndërron për një të ardhme edhe më të ndritur. Ky ishte verdikti për rezultatin historik të Kombëtares shqiptare, që pakkush e kishte imagjinuar.